Informacion për Kartën e Kreditit

Informacion Parakontraktor për Kartën e Kreditit

Njihuni me kartën e kreditit Jet Bank, mënyrën e përdorimit, limitin, interesat, tarifat, pagesën minimale dhe të drejtat e detyrimet tuaja.

Informacion Parakontraktor për Kartën e Kreditit

Njihuni me informacionin parakontraktor për kartën e kreditit Jet Bank, duke përfshirë mënyrën e përdorimit, limitin, interesat, tarifat, pagesën minimale dhe të drejtat e detyrimet tuaja.

Çfarë duhet të dini para se të aplikoni për kartë krediti?

Këtu gjeni shpjegime për mënyrën si funksionon karta e kreditit dhe si ndikon përdorimi i saj në detyrimet tuaja mujore.

Lexoni dokumentin parakontraktor të personalizuar dhe kontratën përpara nënshkrimit. Ato përmbajnë kushtet konkrete që zbatohen për kartën tuaj.

Çfarë është karta e kreditit revolving?

Karta e kreditit revolving ju mundëson të përdorni fonde të bankës deri në një limit të miratuar.

Kur shlyeni principalin e përdorur, limiti i disponueshëm rritet përkatësisht dhe mund të përdoret përsëri, sipas kushteve të kontratës.

Ndryshe nga një kredi me këste fikse, detyrimi mujor i kartës ndryshon në varësi të përdorimit, pagesave dhe kostove të aplikueshme.

Si ndryshon karta e kreditit nga karta e debitit?

Me kartën e kreditit përdorni një limit financimi të miratuar nga banka. Shumat e përdorura duhet t’i shlyeni sipas afateve dhe kushteve të kontratës.

Në cilat valuta ofrohet karta e kreditit?

Karta e kreditit ofrohet në:

  • Lekë — ALL;
  • Euro — EUR.

Valuta e zgjedhur përcakton valutën e limitit dhe të detyrimeve të kartës.

Çfarë është limiti i kreditit?

Limiti i kreditit është shuma maksimale e financimit që banka ju miraton për kartën.

Limiti i kërkuar gjatë aplikimit nuk përbën miratim. Banka përcakton limitin përfundimtar pas vlerësimit të aplikimit.

Si përcaktohet limiti që mund të përfitoj?

Banka përcakton limitin duke vlerësuar të ardhurat, detyrimet ekzistuese dhe aftësinë tuaj paguese.

Limiti mund të jetë deri në trefishin e pagës mujore të deklaruar, por jo më shumë se 40,000 EUR për kartën në euro ose 4,000,000 ALL për kartën në lekë.

Limiti përfundimtar i nënshtrohet miratimit të bankës dhe mund të jetë më i ulët se shuma e kërkuar.

A miratohet automatikisht karta pasi aplikoj?

Jo. Konfirmimi i dërgimit të aplikimit tregon se ai është marrë për shqyrtim.

A është karta fizike apo virtuale?

Karta e kreditit Jet Bank është virtuale dhe aksesohet në aplikacion.

Përdorimi i saj varet nga funksionalitetet dhe kanalet e mbështetura për këtë produkt.

Kur mund të filloj ta përdor kartën?

Mund të filloni ta përdorni pasi të jenë përfunduar miratimi, nënshkrimi, krijimi dhe aktivizimi i kartës.

Vetëm miratimi i aplikimit nuk mjafton për të kryer pagesa.

Për çfarë mund ta përdor kartën e kreditit?

Kartën e kreditit mund ta përdorni për:

  • Pagesa për mallra dhe shërbime në terminale POS dhe online.
  • Tërheqje parash në ATM.

Përdorimi bëhet brenda limitit të disponueshëm dhe kufijve të përcaktuar nga banka.

Çfarë është limiti i disponueshëm?

Limiti i disponueshëm është shuma e mbetur për përdorim nga limiti total i kartës së kreditit.

Ai llogaritet duke zbritur nga limiti i miratuar detyrimet që e ngarkojnë atë dhe shumat e rezervuara për transaksione në pritje.

Si ndryshon limiti pas një blerjeje?

Një blerje zvogëlon shumën e disponueshme për përdorim.

Për shembull, nëse limiti i disponueshëm është 50,000 ALL dhe kryeni një blerje prej 10,000 ALL, shuma e mbetur është 40,000 ALL, duke supozuar se nuk ka transaksione ose kosto të tjera.

Si rikthehet limiti i disponueshëm pas pagesës?

Pas regjistrimit të pagesës, ajo përdoret për shlyerjen e detyrimeve sipas rendit të përcaktuar në kontratë. Pjesa e pagesës që shlyen principalin e përdorur rikthen limitin përkatës për përdorim.

Sa është norma e interesit?

Norma standarde e interesit është 20% fikse në vit.

Kjo është normë vjetore, jo mujore. Shuma konkrete e interesit varet nga baza mbi të cilën llogaritet dhe numri i ditëve për të cilat aplikohet.

Çfarë është periudha pa interes?

Periudha pa interes është periudha deri në datën e pagesës së muajit pasardhës, gjatë së cilës nuk aplikohet penalitet, nëse detyrimi i faturuar shlyhet plotësisht.

A mjafton pagesa minimale për të mos paguar interes?

Jo. Për të përfituar periudhën pa interes, duhet të shlyeni plotësisht balancën e papaguar brenda afatit të pagesës.

Nëse nuk e shlyeni plotësisht, interesi llogaritet nga data e kryerjes së transaksionit, jo vetëm nga përfundimi i afatit të pagesës. Në rast pagesash të pjesshme, llogaritja përshtatet me shumën e mbetur të papaguar.

Si llogaritet interesi?

Interesi llogaritet çdo ditë mbi balancën e papaguar, nga data e kryerjes së transaksionit deri në shlyerjen e plotë, përveç rasteve kur përfitoni periudhën pa interes.

Formula është:

Interesi = balanca e papaguar × norma vjetore e interesit × numri i ditëve ÷ 365.

Në rast pagesash të pjesshme, interesi llogaritet mbi balancën përkatëse për secilën periudhë.

Çfarë është NEI?

NEI është Norma Efektive e Interesit, një tregues vjetor i kostos së financimit që merr parasysh interesin dhe kostot e përfshira sipas metodologjisë përkatëse.

Për një kartë revolving, shembulli i NEI-së bazohet në supozime për përdorimin dhe shlyerjen. Kostoja që paguani realisht ndikohet nga mënyra si e përdorni dhe e shlyeni kartën.

Vlera dhe supozimet përkatëse duhet të lexohen së bashku në dokumentin parakontraktor.

A ka komision vjetor karta e kreditit?

Komisioni vjetor për mirëmbajtjen e kartës është 0.

Kjo nuk nënkupton se çdo shërbim ose transaksion është pa kosto. Për tarifat e tjera, verifikoni listën në fuqi të tarifave dhe komisioneve për kartën e kreditit.

Çfarë përmban pasqyra mujore e kartës?

Pasqyra mujore ju ndihmon të ndiqni përdorimin dhe pagesat e kartës. Ajo paraqet informacionin për periudhën përkatëse, përfshirë:

  • transaksionet dhe pagesat e regjistruara;
  • detyrimin e mbetur;
  • interesat dhe tarifat e aplikuara;
  • pagesën minimale;
  • afatin e pagesës.
Çfarë është pagesa minimale?

Pagesa Minimale përfshin 5% të principalit të përdorur dhe të pashlyer në datën e gjenerimit të pasqyrës mujore, plus 100% të interesave, komisioneve, tarifave dhe detyrimeve të tjera të faturuara për periudhën.

Shuma konkrete paraqitet në pasqyrën tuaj mujore.

Si llogaritet pagesa minimale?

Pagesa minimale = 5% të principalit të përdorur + 100% të komisioneve, tarifave, interesave dhe detyrimeve të tjera të periudhës.

Nëse detyrimi total është 30,000 ALL dhe nuk ka interesa, tarifa ose detyrime të tjera shtesë, pagesa minimale është:

30,000 × 5% = 1,500 ALL.

A mund të paguaj më shumë se minimumi?

Po. Mund të paguani më shumë se minimumi ose të shlyeni plotësisht detyrimin.

Pagesa më e lartë zvogëlon detyrimin e mbetur dhe mund të ulë shumën e interesit që do të llogaritet më pas.

Çfarë ndodh nëse paguaj më pak se minimumi?

Pagesa e pjesshme ul detyrimin, por nuk e përmbush pagesën minimale nëse shuma e paguar deri në afat është e pamjaftueshme.

Pjesa e pambuluar e minimumit trajtohet si detyrim në vonesë sipas kontratës.

Kur duhet ta paguaj detyrimin?

Pagesa duhet të kryhet brenda afatit të shënuar në pasqyrën mujore.

Çfarë ndodh nëse nuk e paguaj minimumin në kohë?

Mospagesa e minimumit brenda afatit krijon një detyrim në vonesë, mbi të cilin aplikohet interes për vonesë/penalitet.

Norma vjetore e penalitetit është 30% në vit, i llogaritur mbi shumën e pagesës minimale të papaguar (që përfshin vetëm principalin dhe interesin), për numrin e ditëve të vonesës. Penalitetet dhe interesat për vonesë nuk do të tejkalojnë në asnjë rast 30% të shumës së detyrimit kontraktor.

A e mbyll kartën shlyerja e plotë e detyrimit?

Jo. Shlyerja e plotë nuk e mbyll automatikisht kartën ose kontratën.

Mund të kërkoni mbylljen në çdo kohë përmes aplikacionit dhe/ose platformës digjitale të Bankës, sipas procedurës përkatëse. Për mbylljen duhet të shlyeni plotësisht balancën e papaguar, përfshirë interesat, penalitetet, tarifat dhe çdo detyrim tjetër të lindur deri në datën e shlyerjes së plotë.

A mund të tërhiqem nga kontrata pas nënshkrimit?

Kartëmbajtësi ka të drejtë të tërhiqet nga kontrata e kartës së kreditit brenda një periudhe prej 14 (katërmbëdhjetë) ditësh kalendarike, pa dhënë arsye. Ky afat fillon nga dita e lidhjes së kontratës ose nga data kur kartëmbajtësi merr në dispozicion kushtet kontraktuale, nëse kjo e fundit është e mëvonshme.

Çfarë rreziku ka nëse të ardhurat e mia janë në valutë tjetër?

Nëse karta është në EUR dhe të ardhurat tuaja janë në ALL, shuma në lekë që ju nevojitet për pagesën mund të ndryshojë me kursin e këmbimit.

Për shembull, për një detyrim prej 100 EUR:

  • me kurs ilustrues 100 ALL për 1 EUR, nevojiten 10,000 ALL;
  • me kurs ilustrues 110 ALL për 1 EUR, nevojiten 11,000 ALL.

Detyrimi në EUR mbetet i njëjtë, ndërsa kostoja e tij në ALL rritet. Kurset në këtë shembull nuk janë kurse të ofruara nga banka.

Sa është kohëzgjatja e kartës së kreditit dhe si rinovohet ajo?

Karta është e vlefshme për 3 vite nga data e lëshimit, përveç rasteve kur pezullohet, anulohet ose mbyllet më herët.

Në përfundim të afatit, banka mund ta rinovojë automatikisht sipas vlerësimit të saj. Rinovimi nuk është i garantuar. Nëse nuk dëshironi rinovim, duhet ta njoftoni bankën të paktën 2 muaj përpara përfundimit të afatit të kontratës.

Mosrinovimi i kartës nuk ju çliron nga detyrimet e papaguara.

A mund t’i ndryshojë banka kushtet e kontratës?

Banka mund t’i ndryshojë kushtet në përputhje me kontratën dhe legjislacionin në fuqi, duke ju njoftuar përmes kanaleve të përcaktuara.

Sipas kontratës, ndryshimet hyjnë në fuqi 15 ditë kalendarike pas njoftimit, përveç rasteve kur legjislacioni kërkon një afat tjetër.

Nëse nuk jeni dakord, mund të kërkoni përfundimin e kontratës përpara hyrjes së ndryshimeve në fuqi, duke shlyer detyrimet përkatëse. Vijimi i përdorimit të kartës pas hyrjes së tyre në fuqi konsiderohet pranim i kushteve të reja.

Çdo kusht i ndryshuar në kontratë bëhet me amendim kontrate dhe me nënshkrimin e këtij dokumenti nga të dyja palët si banka dhe klienti. Asnjë ndryshim në kontratë nuk bëhet pa nënshkrimin në mënyrë elektronike nga palët.

A mund të marr një kopje të projektkontratës së kartës së kreditit?

Po. Me kërkesën tuaj, mund të merrni pa pagesë një kopje të projektkontratës së kartës së kreditit. Kjo e drejtë nuk zbatohet nëse, në momentin e kërkesës, banka nuk është e gatshme të vijojë me lidhjen e kontratës me ju.

Si informohem në rast refuzimi?

Banka informon aplikuesin pa vonesë dhe pa komisione nëse aplikimi për kartë krediti është refuzuar. Me kërkesë të aplikuesit, banka vë në dispozicion arsyet mbi të cilat është bazuar refuzimi, në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Ku mund të gjej dokumentin parakontraktor?

Dokumenti parakontraktor i personalizuar do t’ju vihet në dispozicion në format elektronik, nëpërmjet kanaleve të përcaktuara nga Banka.

Si mund të kontaktoj Bankën ose të paraqes një ankesë?

Për informacion ose ankesa mund të përdorni aplikacionin, formularin në faqen e Bankës ose kontaktet e publikuara:

  • Telefon: +355 4 450 7777
  • Email: info@jet.bank
  • Faqja e internetit: jet.bank
Full name
Job title, Company name

Shkarko Tani Jet.bank

Hapni llogari, transferoni para, menaxhoni kartat, kurseni dhe ndiqni çdo veprim bankar nga një aplikacion i vetëm. Jeni ju në kontroll të parave tuaja!

Shkarko aplikacionin Jet Bank

Skano kodin QR për të shkarkuar aplikacionin

Contact us

Lorem ipsum dolor sit amet, consectetur adipiscing elit.

Thank you! Your submission has been received!
Oops! Something went wrong while submitting the form.
Current Account Consumer Loan Savings Account Deposits Debit Mastercard Foreign Exchange
ALB ENG
WhatsApp